ANTIKUITETET   NË   ТЕTOVË

Pollogu që nga parahistoria deri në shek. 7. i e.s.,
me theks të veçantë për rajonin e Tetovës

_______________________________
nga Darko Gavrovski

EPOKA E GURIT

Sipas të dhënave të fundit të marra nëpërmjet gërmimeve arkeologjike në objektet neolitike Tumba në fsh. Palçishtë e Poshtme (1987/88.) dhe në Pod selo tumba afër fsh. Stençe (2000.), gjurmët më të vjetra të jetës në luginën e Pollogut (rrethi i Tetovës dhe Gostivarit) datojnë prej para 8000 vjetësh ose më saktë prej viteve  6100 para erës sonë. Një numër i madh fragmentesh të gërmuara vijnë prej këtyre vend kërkimeve, por ka edhe pjesë qeramike plotësisht të ruajtura, si edhe kulte të flijimit dhe statujëza të dedikuara kultit femëror. Në rajonin e Tetovës janë gjetur edhe shumë figura të artit shkëmbor si dhe krijime artistike lidhur me ritualet e adhurimit.

Kjo rrethinë gjatë gjithë periudhës së neolitit ka qenë e banuar nga bartësit e grupit kulturor Anzabegovo-Vrshnik, i cili grup ka ekzistuar edhe në rajonin e Shkupit dhe në Maqedoninë lindore. Sidoqoftë, gjatë neolitit të hershëm ky rajon ka qenë edhe nën ndikim të madh të kulturës neolitike Velushina-Porodin nga Pellagonia në pjesën jugore prej këtu, gjë e cila vërehet edhe prej formës së flijuesit më të vjetër të ruajtur  tipi ‘Nëna-Madhe’ (lat. Magna Mater) e gjetur në këto hapësira, ndërsa e zbuluar afër fsh. Stence. Neoliti i vonshëm karakterizohet me ndikim të Kulturës Vinçane nga veriu.

EPOKA E METALIT

Kah fundi i Millenium 4. fillojnë grindjet e para të ardhësve të ri, popuj step nga Azia qendrore – Indoevropianët, të cilët duke e shkatëruar dhe asimiluar kulturën e vjetër neolite krijojnë kompleks të ri kulturor eneolit në Ballkan, i quajtur Salkuca-Bubanj-Krivodol. Gjurmë të këtyre banorëve janë gjetur edhe në Pollog (në Pallçishtë, Zhelinë etj.). Kjo gjendje stabilizohet në periudhën e mesme të bronzit kur paraqiten embrionet e para të bashkësive ballkanike proto-etnike dhe më vonë edhe para-etnike. Në këtë periudhë fillon edhe një pushtim i madh i simboleve materiale nga jugu prej kulurës së zhvilluar të Mikenës, gjë e cila shihet edhe nga një shpatë luksoze prej bronzi për paradë e gjetur në Tetovë, e importuar mu nga ato qendra të Mikenës.

Edhe pse epokat e ardhshme gjithashtu do të jenë në shenjë të migrimeve të mëdha,  sidoqoftë Koha e Hekurit karakterizihet me stabilizim, që ka sjellë në zhvillim të tregtisë. Nga kjo periudhë datojnë edhe qypat e mëdhej prej qeramike për drithëra të gjetura afër fshatit Llërcë.

Në këtë periudhë, sipas mbishkrimeve të Strabonit të cilat kanë të bëjnë me vendin e stampimit të monedhave në Damastion, dhe veçanërisht sipas gjurmëve të ruajtura onomastike të kohëve më të vonshme, shihet se Pollogu ka qenë i populluar nga Brigët (Briges, Brigoi). Brigët kanë qenë pjesë përbërëse e bashkësive etnike më të vonshme të pajoncëve, maqedonasve antik, dasaretëve, edonëve, dhe mikdonëve. Madje edhe pajonët, edhepse kanë qenë popullatë e vjetëruar e kohës së bronzit, në këtë pjesë të Ballkanit kanë pasur lidhje të padiskutueshme me Brigët. Linguistika dhe onomastika e pajonëve dhe maqedonasve antik paraqesin një numër të madh fjalësh e emrash me rrënjë nga brigët. Kjo na çon tek fakti se Brigët kanë qenë substrat apo bazë në formimin etnik të pajonëve dhe maqedonasve antik.

ANTIKA E HERSHME

Ndikimet e qendrave zejtareske greke në këtë pjesë të Ballkanit, në të vërtetë do të çojnë në ndryshime plotësuese në kulturën dhe mënyrën e jetesës tek popujt e këtushëm. Pikërisht këto ndryshime paralajmërojnë periudhëne e re arkaike dhe kalimin nga epoka e parahistorisë në epokën e historisë dhe antikës. Në plan arkeologjik këto transformime janë të dukshme nëpërmjet karakteristikave  të reja materiale (lloje të reja qeramike, stoli dhe prodhime tjera zejtareske), dhe fetare (mënyrë të re të varrimit: djegie kufomash në vend të varrosjes, pranimi i kulteve të hyjnive greke) si dhe karakteristika tjera të cilat fillimisht janë pranuar si një lloj prestigji i klasave më të larta shoqërore dhe më vonë edhe nga pjesa tjetër e popullatës, gjë e cila shihet më mirë nga të ashtuquajturat varreza fisnikësh, prej të cilave më e njohura është ajo e Tetovës, ku është gjetur edhe statuja e njohur Menada.

Në të kaluarën ka pasur teori të ndryshme lidhur me çështjen se cili fis antik e ka populluar këtë rajon. Sidoqoftë, sipas njohurive të fundit, i gjithë rajoni i Sërbisë jugore, pjesa lindore e Kosovës dhe Maqedonia veriore, përfshirë edhe Pollogun, në këtë periudhë, deri në shekullin e 3., ka qenë i populluar nga fisi  Agrijan (Agrianes), fisi më verior maqedono-antik (pajonët). Kjo shihet nga vazhdimësia e horizonteve arkeologjike, importi i zhvilluar qeramik nga jugu grek, varrezat e pasura të fisnike etj. Ky fis ka patur mbretërit e vet prej të cilëve më i njohur është mbreti Langar (Langaros) i cili në v. 335. ka ndihmuar mbretin maqedonas Aleksandri i III-të gjatë sulmit të tij kundër Tribalëve në veri. Agrijanët e kanë ndjekur atë edhe gjatë mësymjes së tij nëpër Azi ku janë paraqitur si luftëtarët më të pamëshirshëm në shumë beteja kyçe, për çka veçanërisht edhe janë bërë të njohur në botën antike.

Për shkak të zhvillimit ekonomik dhe tregtues, edhe disa qytete të caktuara kanë stampuar monedha të tyre autonome. I tillë është rasti me qytetin Pelagija (Pelagia) i cili gjatë gjithë shekullit të 4. shtyp monedhat e veta prej argjendi në Damastion. Besohet se qyteti Pelagija ka ndodhur afër Tetovës së sotme dhe në fakt është, në kuptimin urbanistik, paraardhësi i saj antik prej të cilit emër më vonë është nxjerrë edhe emri i sotëm sllav i gjithë luginës së Pollogut [Pelagia -Pollog, si në rastin  Scupi-Skopje (Shkupi), Astibo -Shtip, Tesalonika-Solun (Selanik) etj].

Kah fundi i shek. 4. shteti i dobësuar Agrijan bie nën sundimin e mbretit Avdolen nga Pajonija, ndërsa deri kah mesi i shek. 3. të gjithë territoret e tyre kanë qenë të okupuara nga Dardanët nga veriu (në jug bashkë me gjithë Maqedoninë veriore dhe Pollogun), gjë e cila shihet edhe nga diskontinuiteti i horizonteve arkeologjike nga kjo periudhë. Këto rajone buzë kufijve do të shfrytëzohen si mbështetje logjistike gjatë gjithë periudhës së ardhshme, prej ku Dardania ka organizuar pushtime të forta plaçkitëse në jug drejt mbretërisë së pasur të Maqedonisë, madje edhe pasi që këto territore do të bien nën Perandorinë Romake në vitin 168. para erës sonë.

PERIUDHA ROMAKE

Përfundimisht në vitin 29. para erës sonë edhe Pollogu bashkë me pjesët tjera të Dardanisë, dhe në veri deri në Danub do të bien nën autoritetet romake, pas së cilës fillon era e stabilizimit, jetës më të qetë, tregtisë dhe përparimit. Nga shek. 2.-3. të erës sonë ekzistojnë disa pllaka guri – stela, në të cilat epitafi është shkruar me shkronja greke gjë që tregon se ky rajon ka qenë pjesë e sferës gjuhësore greke, për dallim nga Kosova dhe rajoni i Shkupit të cilat kanë qenë pjesë e sferës gjuhësore latinishte. Kjo nënkupton se në periudhën e  Perandorisë së Hershme Romake (shek 1.-3. i erës sonë) Pollogu ka qenë pjesë e provincës romake së Maqedonisë, ndërsa në antikën e hershme (shek. 3.-6. i erës sonë), pas reformave të Dioklecianit një pjesë ka qenë e provincës Maqedonia e Dytë (Macedonia Secunda). Stelat e gjetura përmbajnë edhe materiale të pasura onomastike dhe emra personal të cilët janë kryesisht autoktone dhe prej të cilave shihet që romanizimi në këto vende periferike jashtë rrugëve kryesore nuk ka patur ngritje të madhe.

Të mësuar nga pushtimet e mëdha barbare (Kelte, Ostrogote, Hune) të cilat më shpesh kanë ndodhur prej shek 3. dhe kanë vazhduar shekuj me rradhë, perandorët romak kah fundi i shek. 4. kanë filluar të ndërtojnë qytete të rrethuara me mure dhe fortesa nëpër kodra dominante. Nga kjo periudhë datojnë edhe shumë nga kastrumet (castrum), kështjellat (castellum) dhe banimet e refugjatëve (refugium) për banorët në rrethin e Tetovës prej të cilave më të rëndësishme janë ato afër fshatrave të sotëm Rogle, Orashë, Leshkë, Steçne, Jegunovcë, Gradec dhe lokaliteti Isar-Banjiçe afër Tetovës.

Edhe pse krishtërimi në Maqedoni vjen me Shën Apostol Palin në vitet e 50-ta të shek. I në erën tonë, megjithatë  depërtimi më masovik tek njerëzit e thjeshtë fillon të ndodhë pas legalizimit të krishtërimit nga Konstantini në vitin 313., kur edhe fillojnë ndërtimet e kishave-basilike të krishtërimit të hershëm. Deri sot në Pollog janë regjistruar gjurmë të 16 basilikave krishtere të hershme prej të cilave 12 në rajonin e Tetovës dhe 4 në atë të Gostivarit, prej të cilave më mirë të studijuara janë basilika e Stençes nga shek. 7. i erës sonë e cila është e vetmja në Maqedoni  me 3 kryqe (baptisteriume)  dhe ajo në  Tudencë  e cila daton nga pjesa e dytë e shek. 5. dhe është kisha e vetme më e vjetër tre-konike (tri-korabe) në Republikën e Maqedonisë dhe është e rrallë edhe në të gjithë  Evropën jugore.

Sidoqoftë, pas pushtimeve të fuqishme avaro-sllave kah fundi i shek. 6. të gjithë fortesat janë lënë pas dore por nuk janë shkatëruar plotësisht. Pjesa më e madhe e tyre, pas dy-tri shekujsh, kur sërish është vendosur organizim stabil shtetëror, janë restauruar përsëri për të njëjtat qëllime, por këtë herë ato do të banohen nga popullata dominuese sllave duke vërë kështu themelet e qytezave të reja të mesjetës.

 



 

Детална прогноза
weather icon
  • макс:
  • мин:
weather icon
  • макс:
  • мин: